Tuesday, January 15, 2013

Regjistri elektronik, ISKSH: Vizitat me kartë identiteti


Shumë shpejt kartat e identitetit do të përdoren edhe si karta shëndeti, kjo falë regjistrit elektronik që do të ketë çdo qendër shëndetsore. Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana thotë se procesi është drejt përfundimit. Nëpërmjet këtij regjistri mjekët e familjes, por edhe të gjithë specialistët e shëndetësisë do ta kenë më të lehtë të evidentojnë sëmundshmërinë e popullatës.

"Për librezën e shëndetit ka disa procedura të cilat natyrisht janë të nevojshme dhe të domosdoshme për tu kryer për momentin, në mënyrën se si është shpërndarë rrjeti, në mënyrë që të mos kemi problematika të hedhjes apo devijimit të fondeve të rimbursimit. Kur ID-ja do të hyjë në lojë natyrisht kjo nuk është më e mundur pasi do të identifikohet shumë saktë, secili nga pacientët ka një kod të përcaktuar dhe kartën e identitetit e kanë tashmë në xhep të gjithë shqiptarët, kështu që do të jetë shumë më e thjeshtë dhe për ata dhe për ne", tha Elvana Hana, drejtoreshë e ISKSH-së.

Ndërkaq Instituti i Sigurimeve të kujdesit shëndetsor ka bërë ndryshime edhe në kontratat me farmacitë. Për këto subjekte janë vendosur rregulla më të rrepta, për të rritur kështu cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve parashikohen gjoba deri në zgjidhje të kontratës.

"Në kontrata e reja kemi parashikuar si detyrim për farmacitë që ti japi pacientit barnat e përshkruara në recetë pa bërë asnjë lloj zëvendësimi apo ndryshimi të formdozës, principit aktiv, apo sasisë së barit të përshkruar nga mjeku. Në të kundërt do të zgjidhet kontrata deri në fund të periudhës së kontraktuar për jo më pak se një periudhë 6 mujore që nga koha e zgjidhjes", thotë Hana.

Një risi tjetër për ISKSH-në këtë vit do të jenë edhe ndryshimet në kontratat që ky institut ka me qendrat shëndetësore, të cilave do t'u kërkohet depistimi i 80 përqind të grave në moshë risku mbi 35 vjeç. Një pikë tjetër e këtyre kontratave të reja do të jetë edhe detyrimi i qendrave shëndetësore për shtimin e ekzaminimeve për personat që vuajnë nga diabeti. Kjo edhe për faktin se diabeti po rritet në mënyrë galopante në Shqipëri, me rreth 510 raste të reja në muaj.